Privacy Policy Cookie Policy Termini e Condizioni

2004 02 18 * Tema - Çështja Çame, Evropa njeh pronat / Intervistë me Maurizio Turco, parlamentar radikal në Parlamentin Evropian për Tema, Erisa Zykaj Korrespondente nga Brukseli

POLITIKA

Komisioni Evropian merr në diskutim dhe përgjigjet për këtë çështje
Çështja Çame, Evropa njeh pronat


Çështja çame është diskutuar në kuadrin e procedurës së shkruar pyetje-përgjigje midis Komisionit evropian dhe Parlamentit Evropian dhe nuk ka patur memorandum, ashtu siç ka informuar gazeta "Shekulli". Eurodeputetët Marco Panella, Marco Capatto, Gainfranco del Alba, Benedetto Della Vedova, Olivier Dupuis, të kryesuar nga Maurizio Turco i kanë drejtuar një pyetje Komisionit Evropian lidhur me marrjen e iniciativave për kthimin e çamëve në tokat e tyre, rizotërimin e këtyre tokave, dëmshpërblimin e pronave, ashtu si dhe nga ana tjetër përdorimin e gjuhës shqipe nga çamët në Greqi dhe të drejtave të tjera legjitime.
Përgjigjja e Komisionit Evropian ka ardhur nga komisari evropian për marrëdhëniet me jashtë, Chris Patten dhe vijon e plotë si më poshtë: "Komisioni Evropian është në dijeni që një pjesë e popullsisë shqiptare ankohet për mosplotësimin e të drejtave të tyre në Greqi dhe në mënyrë të veçantë përsa u përket pronave të konfiskuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Komisioni Evropian konsideron se çështja çame është një çështje bilaterale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Gjithsesi, Komisioni kërkon që të nënvizojë disa zhvillime pozitive, apo hapa përpara që janë bërë në këtë drejtim gjatë vitit 2003. Janë mbajtur takime midis kryeministrit shqiptar Fatos Nano dhe kryeministrit grek Kostas Simitis. Ndër të tjera, këto takime kanë patur për qëllim që të trajtojnë tema si: vlefshmëria e të ashtuquajturit "ligj i luftës" (i zbatueshëm në legjislacionin grek dhe i aplikueshëm ndaj shqiptarëve), e drejta e qytetarëve shqiptarë për t'u ankuar në gjykatat greke për respektimin e të drejtave të tyre dhe gjykimet e këtyre gjykatave. Komisioni evropian veçon deklaratën e kryeministrit shqiptar Fatos Nano të 15 marsit 2003, gjatë një seance plenare në Parlamentin shqiptar. Ai ka thënë, që qeveria e tij e quan të kapërcyer "gjendjen e luftës", pasi në 21 mars të vitit 1996, të dy shtetet kanë nënshkruar marrëveshjen e miqësisë dhe të bashkëpunimit dhe kanë dalë në përfundimin, se gjendja e luftës i përket së shkuarës. Në të njëjtën kohë, edhe vetë lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha ka deklaruar se nuk ekziston një gjendje lufte midis Shqipërisë dhe Greqisë. Edhe pse çështja e kthimit të pronave të konfiskuara nga qeveria greke mbetet ende e pazgjidhur, kjo mund të konsiderohet si një hap në rrugën e duhur. Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndjekë situatën dhe zhvillimin e dialogut midis Athinës dhe Tiranës, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për problemet që kanë mbetur ende pezull.

 

Ekskluzive, Intervistë me Maurizio Turco, parlamentar radikal në Parlamentin Evropian
BE duhet të trajtojë me tej këtë çështje

Zoti Turco, ju keni marrë tashmë përgjigje nga Komisioni Evropian lidhur me kërkesën tuaj dhe të pesë kolegëve të tjerë për trajtimin e çështjes çame në nivelin e Bashkimi Evropian. Ç'mendoni për këtë përgjigje?
Mendoj që si gjithmonë, Komisioni Evropian e anashkalon çështjen e shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, sidomos kur janë në lojë interesat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që në rastin tonë është Greqia. Përgjigjja e Komisionit Evropian është shumë e qartë: është një problem bilateral midis Shqipërisë dhe Greqisë. Komisioni njofton që ka patur takime në këtë drejtim dhe që si qeveria shqiptare, ashtu dhe opozita mbajnë një qëndrim të përbashkët përsa i përket çështjes çame.

A mund të trajtohet kjo çështje përsëri në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian?
Ne mund ta ngremë jo vetëm aty, por edhe në plenare. Nuk është ky problemi. Çështja qëndron, që kur Komisioni Evropian thotë që çështja çame nuk është një çështje që i përket Bashkimit Evropian, ne nuk mund ta vazhdojmë trajtimin e kësaj çështjeje, edhe pse për ne nuk është kështu. Nëse ka një shkelje të të drejtave të njeriut, atëherë Bashkimi Evropian duhet të marrë përgjegjësinë e tij, aq më tepër kur ka një shtet anëtar që është i përfshirë në një shkelje të të drejtave të njeriut.

Por, në marrëveshjen e Asocimit dhe Stabilizimit, shtetet anëtare të BE kërkojnë në mënyrë të qartë trajtimin e duhur të minoriteteve të huaja në Shqipëri si kusht të kësaj marrëveshjeje, ndërkohë që Greqia si shtet anëtar nuk po jep shembullin e saj në këtë drejtim, apo jo?
Në të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit dhe zhvillimit midis Bashkimit Evropian dhe vendeve ekstrakomunitare, neni 2 i bashkëpunimit flet gjithnjë për respektimin e të drejtave themelore të njeriut si një kusht për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, fatkeqësisht, kur është fjala për shkelje të këtyre të drejtave themelore, si në rastin e Shqipërisë apo të vendeve të Azisë Jugore, Komisioni nuk ka ndërhyrë asnjëherë, ose ka patur ndërhyrje të tipit diplomatik, por asnjëherë politik. Ndërkohë, që sipas marrëveshjeve, nëse ka shkelje të të drejtave themelore të njeriut, marrëveshja duhet të pezullohet, ose të braktiset. Kjo nuk ndodh asnjëherë. Bashkimi Evropian është i specializuar për të financuar diktaturat e planetit dhe të gjunjëzohet kur vihet në lojë interesi ekonomik apo ai tregtar, që ka të bëjë shumë pak me të drejtat e qytetarëve.

Pra, i takon qeverisë shqiptare tashmë që të merret me çështjen çame?
Po, qeveria shqiptare duhet të kërkojë të drejtat e çamëve në Shqipëri dhe atyre në Greqi. Ne iu përgjigjëm kërkesës së palës shqiptare që na u bë gjatë kongresit të Partisë Radikale në nëntor të vitit 2002 dhe e ngritëm këtë çështje në nivelin e proçedurës së shkruar midis Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Përgjigjja e Komisionit Evropian lë gjithçka në duart e qeverisë shqiptare. Unë shpresoj që të ketë dëshirën dhe të mund të shpjerë përpara kërkesën e saj. Në të gjitha vendet e Lindjes, të cilëve iu janë konfiskuar tokat, iu janë kthyer më mbrapa, ose është proçeduar me dëmshpërblimet për pronat. Shqipëria është një vend kandidat dhe Komisioni Evropian duhet të përshpejtojë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në mënyrë që edhe çështje të tilla të mund të trajtohen midis anëtarëve dhe jo midis shteteve ekstrakomunitare dhe anëtarëve siç ndodh tani midis Shqipërisë dhe Greqisë.