Privacy Policy Cookie Policy Termini e Condizioni

2004 02 18 * Panorama * KE heq përgjegjësinë për çamët "Të drejtat e kësaj popullsie varen nga grekët e shqiptarët"

Komisioneri Paten sqaroi për gjashtë eurodeputetët se çështja çame nuk varet nga Komisioni Evropian

KE heq përgjegjësinë për çamët
"Të drejtat e kësaj popullsie varen nga grekët e shqiptarët"

Nga korrespondenti ynë në Bruksel, Ernest Bunguri

Pyetjes së eurodeputetëve radikalë italianë mbi të drejtat themelore të popullsisë çame, komisioneri për marrëdhëniet me jashtë pranë Komisionit Evropian, Kris Patten, i është përgjigjur se të drejtat e çamëve nuk varen nga ky institucion.

Gjashtë parlamentarët radikalë evropianë Marco Panela, Mauricio Turko, Marco Kapato, Xhanfranco del'Alba, Benedeto dela Vedova dhe Olivier Dypyi, nuk i kanë adresuar një memorandum mbi të drejtat e çamëve Komisionit Evropian, por një pyetje me shkrim Komisionerit Kris Patten, mbi iniciativat e Komisionit në lidhje me këtë çështje. Pyetje-përgjigjet mes dy institucioneve janë një nga procedurat që eurodeputetët përdorin për t'u informuar mbi detyrat dhe punën që kryen apo duhet të kryejë ky komision. Një nga eurodeputetët që kanë hartuar pyetësorin, italiani Mauricio Turko, ka shpjeguar për gazetën "Panorama" se, radikalët italianë janë informuar mbi çështjen çame gjatë Kongresit të Partive Radikale Ndërkombëtare në Tiranë, në nëntor të vitit 2002. "Mocioni i veçantë mbi dhunimin e të drejtave humane dhe civile të popullsisë çame, u prezantua nga kryetari i shoqatës 'Çamëria', Qani Biraci dhe në Kongres e votuam të gjithë", shpjegon Mauricio Turko. Ndërkohë, eurodeputeti kërkon në kompjuterin e tij, në mes 300 pyetjeve të procedurës me shkrim, pyetësorin e pregatitur për komisionerin Patten. "Pyetja i është drejtuar komisionerit për marrëdhëniet me jashtë në dhjetor të vitit të kaluar dhe ai është përgjigjur në fillim të shkurtit", shpjegon Mauricio Turko. Pyetjet e eurodeputetëve vijnë pas një prezantimi të shkurtër të dëbimit të popullsisë myslimane çame nga Greqia, të cilës i shtohet gjendja aktuale e popullsisë çame ortodokse e mbetur në vend. "Cilat janë iniciativat që mendon të ndërmarrë Komisioni Evropian për kthimin e myslimanëve çamë në tokat e tyre, apo për kthimin e pasurive këtyre të fundit; si dhe çfarë mendon të bëjë ky institucion për t'i siguruar çamëve ortodoksë në Greqi të drejtat themelore etnike dhe gjuhësore, ashtu siç i gëzon minoriteti grek në Shqipëri", pyesin eurodeputetët.

Patten: KE është në dijeni

"Komisioni Evropian është në dijeni të faktit se një pjesë e popullsisë shqiptare kërkon respektimin e të drejtave themelore në Greqi, dhe në veçanti në lidhje me konfiskimin e pronës private, por, kjo çështje ka një karakter dypalësh dhe zgjidhja duhet të vijë nga Greqia dhe Shqipëria", përgjigjet Kris Patten më 3 shkurt të këtij viti. Më tej, komisioneri shpjegon dhe për zhvillimet e fundit në Shqipëri në lidhje me këtë çështje. "Më 15 mars 2003, Kryeministri Fatos Nano ka deklaruar para parlamentit shqiptar se, ligji grek i luftës shfuqizohet nga marrëveshja e miqësisë e vitit 1996", shkruan Patten në përgjigjen e tij. "Edhe Sali Berisha ka deklaruar se nuk ekziston një gjendje lufte mes Greqisë dhe Shqipërisë", shton më tej komisioneri Patten, duke treguar se vetëm marrëdhëniet e mira mes dy vendeve mund të rregullojnë dhe çështjen çame.
Përgjigjja e komisionerit nuk i ka kënaqur eurodeputetët, të cilët pranojnë me dhimbje se nuk është hera e parë që ky institucion lë mbas dore respektimin e të drejtave të njeriut, për të mos prishur marrëdhëniet ekonomike apo politike me njërin apo tjetrin shtet. "Puna jonë mbaroi këtu, pasi përgjigjja e Komisionit është definitive", pranon Mauricio Turko. Në fund të letrës së tij, Kris Patten shton se Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndjekë zhvillimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, si dhe të ndihmojë në ecurinë e dialogut mes Athinës dhe Tiranës për zgjidhjen e problemeve të ndryshme. "Çështja çame varet tani nga qeveritë greke dhe shqiptare dhe shpresoj që kjo e fundit të gjejë dëshirën për ta zgjidhur këtë problem me homologët grekë, si dhe të jetë e aftë për t'u respektuar nga këta të fundit", përfundon eurodeputeti Mauricio Turko.

Çamët, Meta mbrojti çështjen publikisht
Shqipëria, në dhjetë vite vetëm një rezolutë

Edhe pse kemi mbi 10 vjet pluralizëm në Shqipëri, deputetët tanë nuk kanë shkuar më tej se hartimi i një projektrezolute për çështjen çame. Edhe ky dokument i hartuar në shtatorin e vitit të kaluar, do të vihet në dyshim gjatë votimit për seancë plenare, duke qenë se janë shfaqur pretendime për ta riformuluar. Në fakt, i pari që ka folur publikisht për çështjen çame, ka qenë ish-kryeministri Ilir Meta, gjatë vizitës së tij të parë në Greqi. Gjatë takimit me homologun grek, Simitis, ai ka marrë këtë përgjigje: "Për ne kjo çështje nuk ekziston". Pas kësaj, në disa periudha zërat për çamët janë fuqizuar dhe shfuqizuar disa herë, deri kur para tri ditësh kjo çështje u bë debat edhe për eurodeputetët.